Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaron se drafti i reformës në drejtësi nuk është futur në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit. Sipas tij, publikimi i kalendarit me përfshirjen e reformës, ka qenë një lapsus i administratës së Kuvendit që duhet sqaruar. Sipas tij, Kuvendi do të ketë një sqarim të plotë për këtë çështje, ndërsa theksoi gjithashtu se domosdoshmëri është miratimi i reformës sa më shpejt.
"Nuk ka shumë të vërteta në këtë çështje, ka vetëm një të vetme. Kuvendi do të sqarojë çdo keqkuptim në planin dokumentar. Kuvendi do ta bëjë këtë dhe ju do ta keni, i cili sqaron gjithçka dhe s'ka të bëjë me futjen e reformës. Ka pasur një lapsus në karikimin e dokumenteve e jo me votimin e çështjes në sallë. Sigurisht që jemi të përqendruar ta votojmë reformën në drejtësi. Keqkuptimet procedurale nuk janë të rëndësishme. Jam i bindur që shërbimet e Kuvendit do ta sqarojnë këtë keqkuptim", u shpreh Vasili.
Ai deklaroi më tej se mazhoranca është e hapur për të negociuar me opozitën, për të gjetur një zgjidhje konsensuale për reformën.