Report TV - Reforma, dosjet VIP sërish në duart e Gjykatës së Lartë

2016-09-25 0

Zbehen shpresat për ndëshkimin e korrupsionit elitar në Shqipëri nën shembullin e Kroacisë dhe Rumanisë, edhe pse institucionet e drejtësisë do t?i nënshtrohen një reformimi rrënjësor dhe mbikëqyrjeje të shumëfishtë. Fati i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetëror, të cilët do të akuzohen nga Prokuroria e Posaçme dhe dënohen nga Gjykata Speciale, do të përcaktohet sërish nga Gjykata e Lartë, e cila që nga themelimi i saj nuk ka dënuar qoftë një zyrtar të rangut të lartë, por ka shërbyes si institucion pafajësie. Projekti kushtetues, në nenin 20, i heq Gjykatës së Lartë juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër presidentit, kryeministrit, deputetëve dhe njerëzve të drejtësisë, duke ia dhënë këtë kompetencë Gjykatës Speciale. Por, ndryshimi duket se është fiktiv, pasi këtë kompetencë, Gjykata e Lartë e rimerr me pikën 3 të nenit 31 të projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, një nga 7 draftet prioritare për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Sipas pikës tre, seksioni penal i Gjykatës së Lartë shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale. Çështjet penale të gjykuara nga gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjykohen nga trup gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë.