http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një grup pune i thirrur nga ministri i Financave Arben Ahmetaj ka marrë udhëzimin për të përgatitur një projektligj i cili do të falë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të biznesit në vite. Të kontaktuar nga Vizion Plus, financat shprehen se ende nuk është përgatitur asnjë draft konkret dhe se po bëhen vlerësimet mbi faturën që do tu kushtojë tatimeve dhe doganave kjo ?amnisti?, por në mënyrë të përafërt shifra e borxhit që ka biznesi në shtet mendohet të zbritet me 400 milion dollarë, ose thënë ndryshe gjysmë përgjysmë. Anëtarët e grupit të punës kanë rënë dakord që të gjitha gjobat, kamatëvonesat dhe detyrimet nga viti 2008 e deri 2011 të fshihen, ndërsa ato që janë pas këtij viti, nga 2012-ta e deri më sot të paguhen pjesërisht. 3 formulat që po diskutohen janë: pagesa e 50% të detyrimit tatimor duke u fshirë tërësisht pjesa tjetër së bashku me penalitetet e marra, pagesa e 60% të detyrimit dhe fshirja e asaj që mbetet, ose shlyerja e 70% të borxhit dhe falja e gjobave dhe 30% e detyrimit. Amnistia do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të saj dhe nuk është vendosur koha se deri kur do të shtrihet. Një tjetër falje që po propozon qeveria është rivlerësimi i pronave. Kush ka një pasuri të patundshme dhe për shkak të rritjes së konsiderueshme të vlerës së saj paguan 15% tatim-fitim në momentin që e shet, tashmë ka mundësi të barazojë vlerën e saj me të tregut. Në një projektligj të miratuar në mbledhjen e fundit qeveria vendosi të falë tatimin e vlerës së pronës duke paguar një shumë simbolike prej 2% të rritjes së saj në vite. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogarisin bazën e tatueshme e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, por jo më e vogël se çmimet minimale fiskale dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, është 2% e bazës së tatueshme. Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i pavarur ose nga vetë hipoteka, përmes një formulari që kushdo mund të plotësojë në zyrat vendore të regjistrimit. Nëse dikush ka blerë shtëpinë e tij për 1 milion lekë të rinj dhe sot ajo i kushton 5 milion, do të duhet të derdhte në shtet 600 mijë lek tatim fitim, ndërsa me rivlerësimin ai paguan vetëm 80 mijë lek.