Përveçse do të paguhet taksë për zënien e hapësirave publike në Tiranë, bashkia ka vendosur që çdo biznes duhet të marrë një leje të veçantë. Të gjitha baret, restorantet, apo çdo subjekt tjetër që ka zënë një hapësirë publike duhet të aplikojnë pranë bashkisë së Tiranës për leje. Bashkia i ka propozuar Këshillit Bashkiak që të miratojë projektvendimin e ri që detyron bizneset e qytetarët të cilën zënë hapësirat publike, duhet të marrin paraprakisht leje.
?Çdo subjekt i cili është i interesuar për të shfrytëzuar hapësirat publike për zhvillimin e aktivitetit, duhet të paraqesë në bashkisë kërkesën për të marrë leje?, - thuhet në projektvendimin e siguruar nga Report TV.
Ndërkohë pas incidenteve të fundit mes policisë bashkiake dhe shitësve në rrugë, bashkia ka ofruar një zgjidhje për ambulatorët. Të gjithë shitësit ambulatorë do të grumbullohen në tregje të lëvizshëm ose do të vendosen të gjithë në një vend. Sipas bashkisë me treg të lëvizshëm bëhet fjalë për shitësit që do grumbullohen në vende të caktuara, aty ku ka aktivitete dhe më pas do ti çmontojnë pajisjet. Ndërsa një pjesë tjetër mund të zgjedhin që të shesin në një vend të caktuar. Të gjithë ambulatorët duhet të marrin leje për shitjen në ambientet publike në kryeqytet. Leje do të jetë me afat 3 muaj deri në 1 vit, me të drejtë rinovimi.
Gjithashtu bashkia ka vendosur të japë leje edhe për kinkaleritë të cilat do të shesin gazeta, revista, por edhe pije, cigare etj. Kohët e fundit në Tiranë janë vendosur disa nga këto kinkaleri, të cilat janë multifunksionale dhe leja për to do të ketë një afat 5-vjeçar. Të gjithë bizneset, ambulatorët apo çdo subjekt tjetër që shkel kushtet e vendosura nga bashkia, do të gjobitet me 20 mijë lekë si dhe do t'i pezullohet leja.