Pavarsisht se takimi mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës nuk prodhoi konsensus, ndërkombëtarët nuk rreshtin së kërkuari një të tillë. Ambasadori Donald lu ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim 1 orësh me kryetarin e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa. Pak minuta më pas bisedimeve iu është bashkuar dhe Romana Vlahutin e Bashkimit Europian, e cila qëndroi në zyrën e Xhafës edhe 1 orë tjetër pas largimit të Lu.
Ambasadorët po vijojnë të kërkojnë një konsensus për drejtësinë, në kushtet kur maxhoranca ka deklaruar se nuk do të presë më opozitën dhe do të dërgojë draftin me ndryshime kushtetuese në kuvend, por dhe kur pd kërcënon për djegien e mandateve nëse ndonjë prej deputeteve të saj shitet dhe voton pro reformës.
Burime të Report Tv bëjnë me dije se ndërkombëtarët kishin negociuar dhe një draft tjetër pavarësisht atij që po shqyrtohet në komisionin Xhafa, dhe që iu prezantua në tryezë Bashës dhe Ramës. Drafti me ?lëshime? u refuzua nga PD.
LSI vendoset në krah të PS-së për dërgimin e draftit të reformës në drejtësi në Kuvend dhe miratimin e tij brenda këtij sesioni, pavarësisht qëndrimit të PD-së. Petrit Vasili, kryetari grupit parlamentar të kësaj force në intervistën e tij për Report Tv thekson se objektivat që arrihen nga miratimi i reformës nuk mund të sakrifikohen për askënd.
Vasili nuk preferon të japë një koment për kërcënimin e PD-së se do të djegë mandatet nëse ndonjë nga deputetet e saj shitet dhe jep votën për reformën në drejtësi. Kërcënim që sipas tij përbën retorikë politike.
Për miratimin e paketës kushtetuese të reformës në drejtësi nevojiten 94 vota në parlament, pra dhe ato të opozitës. Kjo arsyeja që PD i trembet nga ?tundimi? të ndonjërit të deputeteve të saj, ?tundim? i cili shpresohet nga mazhoranca.