Report TV - Kosovari i kërkuar prej 10 vitesh nga Interpol lirohet në burgun e Lezhës

2016-05-22 2

Lirimi nga burgu i Shënkollit në Lezhë i Shaip Zukajt një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Kosovë tensionon marrëdhëniet e policisë kosovare me Shqipërinë.

Zukaj është ekstraduar pak kohë më parë nga Belgjika në Tiranë për llogari të një dënimi të dhënë nga gjykata e Lezhës ku ai ishte i përfshirë në një krim.

Pasi ka kryer këtë dënim, Zukaj duhej ekstraduar për llogari të një dënimi në Kosovë, por kjo s'ka ndodhur dhe pak ditë më parë ai është liruar.

Burime për Report Tv bënë me dije se për këtë rast është paraqitur dhe një notë proteste nga policia e Kosovës dhe pritet që prokuroria e Lezhës të hedhë dritë mbi këtë rast, ku një i kërkuar lirohet nga burgu.

Palës Kosovare kish paraqitur një kërkesë për ekstradimin e tij dhe ky ekstradim ish miratuar, por kjo vetëm në letra pasi në realitet ndodhi e kundërta.

Të kontaktuar nga Report Tv administrate e burgjeve pranoi lirimin e tij pasi mbaroi burgimin, por sipas tyre në dosjen penale të Zhukajt nuk kishte asnjë dënim tjetër asnjë kërkesë ekstradimi apo shënim që pengonte lirimin e tij.

Ajo çka mbetet mister është fakti se përse nuk janë shënuar këto në dosjen personale të Shuaip Zukajt çka do të pamundësonte lirimin e tij dhe do të bënte që ai sot të ekstradohej në Kosovë aty ku është i dënuar për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.