"24 milionë dollarë do shpërndahen për pronarët brenda vitit 2016-ë, ndërsa i gjithë procesi i kompensimit financiar të pronës, përfundon brenda në 2019-ën".
Kështu u shpreh Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronës, Sonila Qato, e ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv.
"Ligji i ri për trajtimin e pronës ka përcaktuar një fond kompensimi për pronarët, i cili është i pa tjetërsueshëm. Çdo qindarkë e shtetit nuk mund të tjetërsohet më. 24 milionë dollarë do të shpërndahen për vitin 2016", u shpreh Qato.
Duke iu referuar afatit ligjor për dorëzimin e kërkesave për njohjen e titujve të pronësisë, Qato theksoi se nuk do të pranohet asnjë aplikim pas datës 23 maj.
Sipas saj, njohja e titujve të pronësisë është hapi i parë për të përfituar kompensimin financiar. Janë 11 500 dosje që presin të shqyrtohen nga Agjencia e Trajtimit të Pronës. "Në bazë të dispozitave të ligjit të ri për trajtimin e pronës, ne do të fillojmë nga puna konkrete për shqyrtimin e mbi 11 mijë dosjeve që agjencia ka në zyrën e saj. Do të nisim një punë shumë serioze në funksion të pronarëve që presin 23 vjet për pronën e tyre", u shpreh Qato.
Ajo theksoi gjithashtu se Gjykata e Strasburgut nuk ka pezulluar tratjimin e çështjeve nga Shqipëria. Vizita e zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë e atij të Finacnave në këtë gjykatë u bë për ta njohur atë me reformën e ndërmarrë për komenspimin e pronave.