Report TV - Bie amnistia për ish-ministrat ndryshon drafti i "Drejtësisë"

2016-05-11 0

Nuk do të ketë amnisti për ish-ministrat e përfshirë në praktika korruptive apo të implikuar në akte kriminale, siç është Gërdeci apo vrasjet e 21 Janarit.

Misionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, OPDAT-EURALIUS, kanë reflektuar menjëherë, duke ndryshuar nenin 25 të projektit kushtetuese, i konsideruar si neni i amnistisë së ish-ministrave të korruptuar.

?Shqiptarja.com? ka mësuar nga burime zyrtare se, OPDAT-EURALIUS kanë vendosur të heqin kufizimin kohor për gjykimin e ministrave dhe ish-ministrave nga gjykatat speciale, për veprat e korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta.

Konkretisht është hequr përcaktimi ?gjatë tre viteve të fundit?, duke zhveshur ish-ministrat nga çdo imunitet. Përfshirja në objektin e gjykatave speciale të ministrave vetëm gjatë tre viteve të fundit dhe në vazhdim, duke përjashtuar kësisoj ish-ministrat e PD, është konsideruar si një keqkuptim nga OPDAT dhe EURALIUS. Megjithatë, pas presionit publik, jehonës mediatike dhe reagimeve politike, dy misionet ndërkombëtare kanë vendosur korrigjimin e nenit 25, duke përfshirë në objektin e gjykatave speciale ministra dhe ish-ministra, pa asnjë kufizim kohor. Sipas burimeve zyrtare, varianti i rishikuar i është dërguar komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe pritet të reflektohet gjatë miratimit nen për nen.