Report TV - Dosja “Panama Papers”, ILDKP zbarkon në parajsat fiskale

2016-04-09 0

Shpërthimi i skandalit botëror ?Panama Papers?, pasuar me akuza, dokumente dhe emra biznesmenësh shqiptarë, të përfshirë në aferën e oazit fiskal, ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese shqiptare. Në lëvizje janë vënë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave etj.

Po çfarë roli po luan konkretisht ILDKP, institucioni kryesor për verifikimin dhe kontrollin e parave, në këtë histori? Përpos verifikimit të pasurimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve, një grup inspektorësh të ILDKP mësohet se po gjurmojnë paratë e pushtetarëve shqiptarë, në dhjetëra parajsa fiskale, në disa kontinente. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, lëvizja e ILKDP nuk është diktuar kryesisht nga dosja ?Panama Papers?, por furtuna ?Panama Papers? do të ndikojë në orientimin dhe intensitetin e punës së inspektorëve. Bëhet fjalë për një grup prej pesë inspektorësh, të mbështetur edhe nga ndihmës inspektorë, të cilët po gjurmojnë lëvizjen e parave të dyshimta dhe investimet e zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit.