TIRANE - Shqipëria është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj përballë fluksit të refugjatëve sirianë që largohen nga lufta në atdheun e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë një konference për mediat me Komisioneri europian të Emigrimit, Dimitris Avramopoulos. Por ky angazhim për tu radhitur krah vendeve që i mirëpresin refugjatët, sipas Tahirit duhet të shkojë paralel me një plan të përbashkët evropian, për të pasur veprime të koordinuara.
Duhet më shumë koordinim mes nesh duke pasur parasysh hapat e këtij procesi nga shkëmbimi i informacionit me vendet e rajonit e BE, deri tek pasja e strukturave solide për pritjen paraprake. Edhe kjo e konceptuar si një përpjekje e përbashkët e Shqipërisë me vendet e BE.
I shpreha shqetësim lidhur me domosdoshmërinë që kemi për të ecur para me një plan të tillë të përbashkët. Ne nuk duhet të jemi vonë për të pasur një plan evropian duhet të veprojmë shpejt dhe në kohë në mënyrë që çdo veprim të jetë i koordinuar. Kemi marrë mbështetjen e plotë të komisionerit duke e konceptuar si çështje evropiane me të cilën Shqipëria nuk duhet të jetë vetëm dhe nuk do të jetë vetëm", u shpreh Tahiri.
Avramopulos vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të mos ngritur mure për refugjatët, dhe se ka në këtë përpjekje ka në krah Evropën. Por ai theksoi vazhdimisht gjatë fjalës së tij,se deri më tani nuk ka asnjë indicie që Shqipëria të jetë e ndikuar nga flukse emigrantësh. Avramopulos tha se BE do të japë mbështetje politike dhe financiare për Shqipërinë në këtë iniciativë.
Duhen marrë masa, si mbrojtja e kufirit dhe shkëmbimi mes vendeve anëtare. Për BE-në Shqipëria në rajon është një nga partnerët më të rëndësishëm për të trajtuar këto sfida. Shqipëria nuk është vetëm në këtë ditë. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku që ta thellojmë bashkëpunimin tonë.
Zgjidhja? T'i jepet fund luftës. Ne e dimë se cilat janë shkaqet e kësaj krize. Ka shumë teori përsa i përket shifrave, nuk duhet të harrojmë që kemi të bëjmë me qenie njerëzore dhe duhet të reagojmë në përputhje me jurisprudencën evropiane. T'i japim fund ndërtimit të mureve dhe gardheve, e vlerësoj Shqipërinë sepse që në fillim ka thënë ne nuk kemi qëllim të ngremë mure, se ngritja e tyre do minonte sistemin e vlerave të BE. Jemi këtu që këta njerëz t'i trajtojmë me njërzillëk.