Report TV - Kompensimi pronave,Strasburgu nis ekspertët e saj në Shqipëri

2016-02-21 1

TIRANË - Ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut do të nisin një mision monitorimi përsa i përket çështjes të së drejtës mbi pronën në Shqipëri. Në buxhetin e KiE është përcaktuar se duke nisur nga janari deri në dhjetor të vitit 2016 do të nisë monitorimi i implementimit të së drejtës pronësore në bazë të orientimeve të Gjykatës së Strasburgut. Kjo është konsideruar si faza e dytë e veprimit të KiE mbi çështjen e pronës në Shqipëri.

Një muaj më parë Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet mbi ligjin e pronës në Shqipëri duke rishikuar dhe skemën e llogaritjes së çmimit për efekt të Kompensimit. Sipas këtij vendimi, çmimi i tokës do të jetë sipas hartës së vlerës së miratuar së fundi prej qeverisë, por se kategorizimi i sipërfaqes në tokë truall, bujqësore apo livadh do të jetë sipas vitit kur subjekti është shpronësuar. Pra pavarësisht se tashmë toka është truall, nëse para vitit 1976 ka qenë bujqësore ajo do të kompensohet si e tillë. Ky propozim është diskutuar mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe KiE në dhjetor të vitit të shkuar, por se nga Shqipëria u kërkuan më shumë shpjegime lidhur me metodologjinë e çmimit të pronave. Megjithatë burimet kanë saktësuar se prej Shqipërisë ende nuk janë dhënë argumentet plotësuese.