Report TV - Debatet për Byronë, Topalli irritohet me Bashën ...por s'braktis Berishën!

2016-02-10 0

TIRANE - Mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar demokrat ka zgjatur të paktën 120 minuta ku nuk kanë munguar edhe debatet mes deputetëve dhe kryetarit Lulzim Basha. Deputetët kanë ngritur shqetësimin për mënyrën se si janë zhvilluar negociatat me maxhorancën për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Burime për Report TV thanë se shqetësim për këtë situatë ka shfaqur deputeti Eduart Selami i cili i ka kërkuar Bashës shpjegime për këto negociata edhe rolin e ndërkombëtarëve duke iu referuar këtu edhe eksperiencës së tij personale dhe njohjeve që ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë drejtim Selami ka kërkuar që përpara se të shpaloset qëndrimi publik i kryetarit për këtë çështje apo çështje të tjera sensitive kjo të diskutohet me grupin parlamentar e më pas të bëhet publike në media.

Për këtë çështje Basha mësohet të ketë thënë se qëndrimin në grup e diskuton paraprakisht me kryesinë e vogël të grupit ndërsa më pas bëhet publik edhe për shqiptarët.

Në këtë debat ka ndërhyrë ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka folur për negociatat që janë bërë edhe me ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe mbështetjen që ata kanë dhënë për qëndrimin e opozitës, që i referohet Komisionit të Venecias për këtë çështje.

Sipas të njëjtave burime konfirmohet se Berisha ka folur për idenë që është diskutuar me ambasadorët për ngritjen fillimisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit e më pas të bëhet reforma në drejtësi me të gjithë komponentët e saj. Pas këtij diskutimi Basha ka kërkuar lejen të largohet për një tjetër takim me ambasadorët në vend, ndërsa kjo është kundërshtuar nga deputetët Arben Imami dhe Jozefina Topalli të cilët mësohet të kenë thënë se nuk mund të zhvillohet mbledhja pa praninë e kryetarit.

Me largimin nga salla të kryetarit Basha, është larguar dhe deputeti Imami ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit është ulur sërish pasi ka parë qëndrimin e Berishës i cili vendosi të qëndrojë në mbledhjen që u drejtua më pas nga Edmond Spaho.