Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se masa të tjera shtesë do të ndërmerren nga qeveria për masakrat mjedisore që janë bërë në vend në më shumë se dy dekada, në mënyrë që vendit ti rikthehet ekuilibri i duhur me natyrën.
Kryeministri Rama këto deklarata i ka bërë nga qyteti i Elbasanit, ku ishte i pranishëm në nisjen e pyllëzimeve të reja në zonën e lumit Shushicë dhe sistemimin e shtratit të Shkumbinit, duke mbjellë 3 mijë fidanë të rinj.
?Kjo është kostoja e tmerrshme e shumë viteve shfrytëzim barbar. Moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë, nuk ka shtet që e mbron dot, popullin nga uji.Ndërkohë dhe mbjellja e fidanëve për të siguruar gjithë mbrojtjen në pikat kritike dhe për tu shtrirë në të gjitha fashat e shkretuara nga sëpata e gjithë këtyre viteve, do të vazhdojnë intensivisht. Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës? tha Rama.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka, u shpreh se masat shumëdimensionale të ndërmarra deri tani, do të jenë afatgjata, deri në rehabilitimin e plotë të sipërfaqeve të dëmtuara.
?Kjo është një nga pjesët e dëmtuara pas reshjeve. Fenomeni më i fundit që po ndodh në Shqipëri, - jo vetëm përmbytjet që ndodhin në mënyrë tradicionale në veriun e Shqipërisë, në Ultësirat e Lezhës, - tashmë ka filluar edhe në zonën e Jugut, por dhe këtu në Elbasan. Masat që ne kemi parashikuar janë shumë dimensionale, që nga Moratoriumi që unë e konsideroj një vendim historik. Ne kemi filluar rehabilitimin në disa zona shumë të degraduara siç është dhe ky rast në fjalë, por për gjatë gjithë vitit, planet janë për të punuar në vijimësi? tha Koka.