TIRANE - Ministri i Punëve të Brendshme ka shuar zërat se në Partinë Socialiste ka debat sa i përket mandatit të kryetarit Edi Rama, ku për shkak të mungesës së zgjedhjeve brenda partisë, mandati i tij ka tejkaluar me 3 vjet.
Në një prononcim për gazetarët para nisjes së seancës plenare të kësaj të enjteje, ministri Saimir Tahiri, njëherësh kryetar i PS-së për Tiranën, tha se këtë vit do të ketë zgjedhje në PS, jo vetëm për forumet, por edhe për mandatin e kryetarit Rama, njëherësh kryeministër i Shqipërisë. Tahiri tha se debati nuk duhet të ngushtohet nëse zgjedhja do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë apo në Kongresin e PS-së që do të mblidhet në 19 mars.
"Unë nuk e di që ka një debat. Më tepër më vazhdim i një historie të pakuptimtë. Ne jemi në një proces reformimi në PS, kjo ka të bëjë në një zgjerim të partisë për komunikimin me publikun. Sigurisht që do të ketë zgjedhje në të gjitha strukturat, edhe të forumeve edhe të mandatit të kryetarit. Nuk e ka vënë në diskutim njeri që të gjitha forumet do të rinovojnë mandatet e tyre. Debati për mënyrën e votimit më duhet i tejkaluar", tha Tahiri.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së ditën e hënë, deputeti socialist Ben Blushi shprehu kritika të ashpra ndaj faktit që Rama vijon të drejtojë partinë me një mandat 7-vjeçar. Ai la të hapur mundësinë për kandidimin e tij në krye të PS-së nëse do të ketë zgjedhje.