Report TV - Tahiri: Pa diskutim! Zgjedhje në PS, rinovohet mandati i Ramës

2016-01-28 0

TIRANE - Ministri i Punëve të Brendshme ka shuar zërat se në Partinë Socialiste ka debat sa i përket mandatit të kryetarit Edi Rama, ku për shkak të mungesës së zgjedhjeve brenda partisë, mandati i tij ka tejkaluar me 3 vjet.

Në një prononcim për gazetarët para nisjes së seancës plenare të kësaj të enjteje, ministri Saimir Tahiri, njëherësh kryetar i PS-së për Tiranën, tha se këtë vit do të ketë zgjedhje në PS, jo vetëm për forumet, por edhe për mandatin e kryetarit Rama, njëherësh kryeministër i Shqipërisë. Tahiri tha se debati nuk duhet të ngushtohet nëse zgjedhja do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë apo në Kongresin e PS-së që do të mblidhet në 19 mars.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së ditën e hënë, deputeti socialist Ben Blushi shprehu kritika të ashpra ndaj faktit që Rama vijon të drejtojë partinë me një mandat 7-vjeçar. Ai la të hapur mundësinë për kandidimin e tij në krye të PS-së nëse do të ketë zgjedhje.

I pyetur nëse do të mbështesë kandidaturën e Ben Blushit për kryetar të PS-së, Tahiri u shpreh: "Kjo nuk ka lidhje, e rëndësishme është se PS ka hyrë në një proces që është shumë politik, dhe ka të bëjë me qeverisjen dhe qytetarët, dhe çdo debat duhet të përfshijë komunikimin me anëtarësinë e PS. Dhe ka shumë anëtarësime të reja. Jemi në mes të një procesi zgjedhor për të gjitha forumet".
"Në kuadër të rilindjes së Policisë së Shtetit dhe të rezultateve inkurajuese, Byroja e Hetimit do të shtonte mundësitë tona për të luftuar korrupsionin në radhët e zyrtarëve të lartë. Zgjatja në kohë nuk e dëmton produktin", - përfundoi Tahiri.

Free Traffic Exchange