http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dy punonjës policie u pezulluan pas djegies se laboratorit kriminalistik ne ambientet e gardës së republikës, aty ku prej disa kohësh është zhvendosur Ministria e Brendshme. Edhe pse diçka e tille, nuk konfirmohet zyrtarisht burime pranë policisë thanë se ndaj dy efektivëve është marrë masë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së 5 nëntorit. Deri më tani, ka dyshime se nga zjarri kanë mbetur të dëmtuara të paktën 5 prej provave të arkivuara për operacionet antidrogë edhe pse specialistët kanë konfirmuar se kjo nuk ndikon në mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore. Për ngjarjen kanë dhënë deklarimet e tyre prokurorët por edhe oficerët e policisë gjyqësore të cilët kanë depozituar provat për ekzaminime në këtë laborator. Nga ana tjetër, shërbimi i kontrollit të brendshëm ka nisur verifikimet për punën e oficerëve të shërbimit ndërkohë që në ekzaminime është përfshirë dhe operatori i shpërndarjes së energjisë.Sipas policisë, zjarri ra pas mesnatës së datës 5 nëntor në korridorin e Policisë Shkencore. Edhe pse nuk ka filmime mbi atë çka ndodhi, në këtë fazë të hetimeve specialistët nuk kanë nguruar të ngrenë pistat e zjarrvënjes së qëllimshme, shkëndijës elektrike në neon dhe gabimit njerëzor. Ndërkohë prej disa ditësh opozita akuzon Ministrin e Brendshëm për shkatërrim të qëllimshëm të provave në laborator