http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një vendim i qeverisë së kaluar i detyron fermerët që të paguajnë 600 lekë taksë vjetore për një dynym tokë të lënë djerrë dhe nëse brenda dy vjetësh toka bujqësore mbetet e tillë, atë ia merr komuna dhe e jep me qira. Por, kjo masë nuk është aplikuar asnjëherë dhe hektarë të tëra toke edhe në Myzeqe rrinë djerrë prej vitesh. Fermerët në këto anë në pamundësi për ta mbjellë tokën me grurë ose bimë të tjera e lënë atë djerrë duke e shfrytëzuar si kullota për bagëtitë. Këto janë pamje ku siç shihet, sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore, janë kthyer në kullotë në fushën e Myzeqesë. Agron Prifti, fermer dhe banor i fshatit Shënpjetër, Komuna Topojë, thotë se nuk e punon dot tokën për shkak të kostos së lartë të punimeve dhe mungesës së mekanikës bujqësore. Por një panoramë krejt tjetër paraqitet në një tjetër zonë të rrethit të Fierit, në fshatrat e komunës Frakull, ku nuk mund të gjesh sipërfaqe toke pa punuar. Fermerët mbjellin gjithçka në tokat e tyre, madje edhe kulturën e rrallë të luleshtrydhes. Festim Hamataj, është njëri prej prodhuesve të kësaj bime të rrallë. Ai pohon se të lësh një pëllëmbë toke pa punuar do të thotë të qëndrosh 24 orë pa bukë, por kërkon që shteti t'i ndihmojë fermerët me subvencione dhe për gjetjen e tregjeve të shitjes. Drejtoria e Bujqësisë në Fier, raporton se janë të evidentuara rreth 2400 ha tokë djerrë. Specialisti pranë kësaj Drejtorie, Muhamet Baboci deklaron se ende ekzistojnë sipërfaqe toke djerrë, por shumë fermerë po i kthehen punimit të tokës. Gjithashtu sipas tij, vendimi më i fundit i qeverisë për marrjen nën administrim të 18 mijë hektarëve tokë, ndikon në nxitjen e punimit të tokës dhe përfitimit real prej saj.