Eksperti suedez: Reduktoni njësitë vendore - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 2

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Suedia, e cila është një prej vendeve të BE-së që merret shpesh si shembull zhvillimi në vitet '50 ka kryer reformën territoriale, duke reduktuar numrin e njësive vendore nga 2 500 në 290. Bazuar në këtë eksperiencë Lars Erci Ericsson, ish-sekretar i shtetit në Suedi, sot ekspert pranë qeverise shqiptare për çështjen e reformës territoriale këshillon reduktimin e numrit të njësive vendore, pasi në këndvështrimin e tij një harte kaq e copëzuar, ndikon negativisht në shërbimet që u ofrohen qytetarëve. Ericsson ndalet edhe tek shembulli francez me më shumë se 36 mijë njësi vendore; duke theksuar se ky është një rast përjashtimor dhe një model që siguron pak kompetenca për pushtetin vendor duke e bërë atë më të dobët. "Unë mendoj se Shqipëria vërtet ka nevoje për një reforme territoriale. Çështja thelbësore është shërbimi që iu ofrohet qytetareve dhe ju keni shumë njësi vendore që vuajnë nga mungesa e fondeve dhe personelit për t'u ofruar shërbime cilësore qytetarëve. Sipas meje, ju keni absolutisht nevojë për një reformë." Eksperti suedez preferon të shmangë komentet rreth refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën territoriale, por thekson se kur një palë ka dyshime, rruga më e mirë është të ulet në tryezë për të diskutuar problemet. Vete Suedia kur ka realizuar reformën territoriale nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen 100% të klasës politike, pasi disa parti të vogla e kundërshtuan, por reforma asokohe u mbështet nga një mazhorancë e gjerë, shpjegon ish-sekretari i shtetit. "Nuk dua te ndërhyj në çështje politike, por nga eksperienca ime është gjithmonë një gjë e mirë të ulesh në tryezë dhe të diskutosh. Nëse ke dyshime apo kundërshtime mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve është të flasësh për to." Megjithatë tryeza e konsultimeve e organizuar nga qeveria solli serish një tablo të ndarjes së qartë që ekziston mes maxhorances dhe opozitës, pasi kjo e fundit e bojkotoi takimin ndërkohë që Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi se reforma do të përmbyllet pavarësisht qëndrimit të Partisë Demokratike.