Matje lëkundjeve, nesër instalohen dy aparatura - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
A janë natyrore apo të shkaktuar nga veprimtaria e "Bankers petroleum", tërmetet në zonën e Zharrëzës? Pyetja që prej vitesh nuk merr një përgjigje, duket se është futur në rrugën e zgjidhjes. Burime zyrtare nga ministria e Industrisë dhe Energjetikes pohuan për Vizion Plus se të premten e kësaj jave do të instalohen në zonë dy aparaturat për matjen e lëkundjeve sizmike. Aparaturat që do të bëjnë monitorim lokal të lëkundjeve të tokës, kanë kohë që janë blerë, por ato asnjëherë nuk u vunë në përdorim. Specialistet pohojnë se do të duhet edhe një jave tjetër kohë që në aparatura të adoptohet softi i ri, që do të bëjë të mundur matjen e lëkundjeve edhe në masën 1 të shkalles righter. Por si mund të përcaktohet nëse "Bankers" është përgjegjëse për lëkundjet e tokës në këto tre vitet e fundit? Tërmeti i një nate më parë është i dyti brenda harkut kohor të dy javëve. Ai është ndjerë shumë deri në pesë ballë në Belinë, fshati ku operon "Bankers Petroleum" dhe ne fshatrat përreth tij Zharrëz dhe Marinëz. Lëkundjet kanë shkuar deri në Fier, Roskovec, Patos e Mallakastër. Në zonën e Zharrëzës pritet të vendosen në total pesë aparatura, dy prej të cilave do të jenë të lëvizshme. Ato do të lidhen me serverin qendror në institutin e Gjeoshkencave, ku do të regjistrohet çdo lëkundje toke në kohë reale. Edhe pse tre vitet e fundit, çdo muaj në Zharrëz ka rënë një termet me magnitudë me të lartë se 3 të shkalles righter, nuk ka pasur vullnet politik për të bërë ose jo përgjegjëse kompaninë "Bankers Petroleum" që shfrytëzon zonën për nxjerrjen e naftës. Specialisteve do t'u duhen dy apo tre muaj për të pasur një përgjigje mbi baza shkencore, pjesa tjetër mbetet për t'u parë.