Hetimet për arratisjen - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ndërsa vijojnë hetimet nga Prokuroria e Korçës për zbardhjen e ngjarjes së djeshme ku 7 persona u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu i Drenovës në Korçë, policia ka arrestuar Albi Mecinin dhe Olsion Maci. Të dy këta persona dyshohen sipas policisë së Korçës se janë organizatorë të arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë. Personat e arrestuar duket se kanë qenë pjesë e aksionit të mirë organizuar. Në oborrin e burgut të shtatë të burgosurit kanë bërtitur dhe kërcënuar rojet e kullave, të cilët të frikësuar i kanë lejuar ata të largohen. Bashkëpunëtorët i kanë pritur të shtatë të dënuarit në një automjet të ndaluar jashtë ambienteve të burgut. Dyshimet për persona të tjerë bashkëpunues shtohen më tej edhe me disa ngjarje të ndodhura në qytetin e Korçës, ngjarje të cilat sipas burimeve kanë dashur të tërheqin vëmendjen e policisë. 300 metra larg nga ndërtesa e burgut, të burgosurit janë ndarë në dy grupe, ku katër veriorët së bashku edhe me dy bashkëpunëtorë janë nisur në drejtim të Pogradecit. Ndërkohë Prokuroria e Korçës vijon me zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje. Forcat e Policisë së Korçës kanë ndaluar për te marrë në pyetje të gjithë personelin që kanë qenë në vendin e punës ditën e djeshme. Nga ana tjetër, policia dhe Prokuroria e Korçës kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Mbrëmë në orët e vona janë marrë në pyetje drejtuesit dhe të gjithë punonjësit e burgut të Drenovës.