Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, KSHZ, vijon seancën maratonë për shqyrtimin e ankesave të partive, për parregullsi në procesin zgjedhor.
Anëtarët e komisionit, të mazhorancës dhe opozitës, kanë zhvilluar debate të ashpra deri më tani, gjatë shqyrtimit të ankesave. Debati ka kulmuar kur pjesa më e madhe e anëtarëve nuk lejuan që materialet zgjedhore nga qendrat e votimit në Tetovë dhe disa zona të tjera, të sillen si dëshmi në KSHZ. Këto materiale do të shërbenin për të verifikuar akuzat e anëtarëve të opozitës se ka pasur parregullsi në votime, më shumë fletë votimi dhe procesverbale të firmosura që nuk korrespondojnë me numrin e votave në kutitë e votimit. Anëtarët e shumicës kanë theksuar se nuk mund të sillet si dëshmi materiali zgjedhor, pasi sipas ligjit, nga një qendër votimi duhet të ketë dy ankesa dhe jo vetëm një ankesë, siç ka ndodhur për Tetovën, vetëm nga LSDM. KSHZ duhet të finalizojë brenda 48 orësh 428 ankesa të partive politike, kryesisht nga opozita lidhur me parregullsi në disa komuna të vendit. Pas këtij procesi dhe afati, partitë politike kanë mundësinë që të dorëzojnë ankesat e tyre në Gjykatën Administrative, vendimet e së cilës do të jenë përfundimtare.