TIRANE - Me ndryshimet ligjore në Kodin Penal korrupsioni në Shqipëri konsiderohet një krim i rëndë dhe institucioni përgjegjës për hetimin e kësaj vepre penale është Prokuroria e Krimeve të Rënda.
E për të përforcuar rolin aktiv të kësaj strukture, - gjykatë e prokurori e Krimeve të Rënda në hetimin e korrupsionit, - më 30 qershor të 2014-ës nuk do të mungonte dhe mbështetja e presidentit të Komisionit Europian Emanuel Barroso.
?Java e kaluar ka qenë lajm i mirë për Shqipërinë, e në veçanti për integrimin e vendit në BE. U arrit një moment historik kur Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, që është rezultat i përpjekjeve të vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ishte puna e bërë në të gjitha fushat, përfshirë edhe punën e bërë në gjyqësor, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit?, - do të deklaronte Barroso nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 30 qershor të 2014-ës kur vizitoi për herë të fundit Shqipërinë.
Por paçka kësaj kur ka kaluar më shumë se gjysmën e vitit 2015, kjo prokurori duket se nuk ja ka dalë të vërë në bankën e të akuzuarve asnjë person të përfolur publikisht për përfitime monetare, tendera korruptiv apo shit-blerje të drejtësisë.
Sipas një vëzhgimi të A1Report në faqen e Gjykatës së Krimeve të Rënda aty ku gjykohet çdo person i pandehur nga prokuroria në këto 8 muaj nuk rezulton asnjë proces i hapur ndaj zyrtarëve të lartë, prokurorëve apo gjyqtarëve aq të përfolur në raportet ndërkombëtare.