TIRANË - E ka nisur si një kërcënim për tu hedhur nga një lartësi mjaft e madhe mbi vinçin e një pallati në ndërtim, por negociatat me policinë kanë rezultuar me sukses dhe e kanë bindur të pranojë ndihmën e forcave zjarrfikëse për të zbritur.
Ngjarja u shënua këtë mëngjes rreth orës 10:20 në kryeqytet në një pallat 26-katësh pranë Gjykatës së Tiranës. Burri rreth të 50-ave kishte hipur në vinçin paralel me pallatin dhe kishte arritur deri në katin e 12-të. Konfliktet e pronësisë dyshohet të janë bërë shkak për këtë veprimin ekstrem.
Efektivët e policisë të cilët u ngjitën në katin e 12-të të pallatit, komunikuan me burrin i cili vijonte të qëndronte në vinç dhe mundën ta bindin atë që mos të hidhej.
Edhe pse pranoi të mos ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes, jeta e burrit ishte ende në rrezik për shkak të lartësisë së madhe në të cilën ndodhej, temperaturave të larta dhe frikës të cilët e bënin të paqëndrueshëm ekuilibrin e tij. Burri ka pritur në sheshpushimin e vinçit duke u mbajtur në hekurat rrethues të tij, derisa forcat zjarrfikëse e lidhën me litar për ta siguruar, e për tu tërhequr më tej drejt pallatit.
Policia rrethoi zonën duke vendosur perimetrin e sigurisë ndërsa poshtë vinçit u vendos edhe një dyshekë ajri.
Ky nuk është rasti i parë i personave me konflikte pronësie të cilët kërcënojnë të hidhen nga lartësi të mëdha.