Konferenca shkencore, një ekspozitë dhe një dokumentar për Ibrahim Rugovën ka qenë aktiviteti i radhës në kalendarin e bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë. Aktiviteti me pjesëmarrjen e dy ministrave të kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kujtim Shala, u mbajt në Tiranë.
Konferenca ?Kujtesa e Rugovës? u moderua nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë Persida Asllani dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Sali Bashota.
Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vuri në dukje ndër kontributet e Rugovës themelimin e kritikës moderne shqiptare.
Ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala u shpreh se në Kosovë Ibrahim Rugova njihej si studiues dhe si letrar, ndërsa bota e ka njohur si princ të shtetit të Kosovës.
Mbresëlënse ishte edhe ekspozita vetjake e fotografit të njohur kosovar Fahredin Spahia. Spahia ka rrëmbyer në fokusin e aparatit emocionet e Rugovës në momente kyçe të historisë, duke sjellë në Tiranë imazhin e tij me një vërtetësi të mahnitshme.