TIRANE - Në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arkivuar për mungesë provash dosjen e ekzekutimit të drejtuesit të Shërbimit Informative Shtetërorë në Durrës Isa Copa, një tjetër agjent dhe vartës i Copës, ish-agjenti me inicialet H.B është kërcënuar me jetë me mesazhe në telefonin e tij.
Kërcënohet me jetë kolegu i Isa Copës, efektivit të Shërbimit Informativ Shtetëror të ekzekutuar në mënyrë makabre 4 vite më parë. Ish-efektivi i SHISH me inicialet H.B vetëm disa muaj pasi është është shkëputur nga ky shërbim është kërcënuar me jetë nga persona ende të paidentifikuar me një mesazh në celularin e tij.
Ngjarja është denoncuar në Policinë e Durrësit, por hetimet ende nuk kanë mundur të identifikojnë autorët. A1 Report mëson se prokuroria e qytetit bregdetar nuk ka pranuar të regjistrojë procedim penal për këtë rast pasi prokurori Sokol Nishani, vëllai i presidentit Nishani por njëherazi dhe prokurori që ka hetuar krimin ndaj Copës, ka kërkuar nga ish-agjenti të paraqitej sërish nëse do vazhdonin kërcënimet.
Ish-efektivi H.B ka kontaktuar me prokurorin Nishani për shkak të njohjes të mëparshme me të dhe faktit që ky prokuror ka hetuar ngjarjen e Copës. Por jo vetëm kaq. I kërcënuari ka dëshmuar dhe më parë në çfarë ai ka pasur dijeni për vrasjen e eprorit të tij.
Burime të rezervuara nga SHISH thanë për A1Report se në celularin e agjentit kanë mbërritur dy mesazhe në harkun e 1 muaji, ku në të parin i kërkohet takim dhe i caktohet vendi ora e data dhe në të dytin kërcënohet se përse ka refuzuar të dal në takim, me përmbajtjen:
O Spiun pse s?erdhe në takim, ne i dimë mirë se çfarë ke bërë, një ditë do ti paguash të gjithë si ai shoku yt i ngushtë, - referuar kjo ish-kolegut të tij Isa Copa.
Copa u ekzekutua dhe u dogj në mënyrë makabre në automjetin e tij 4 vite më parë në zonën e currilave, por ky krim mbetet ende pa autor dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arkivuar dosjen për mungesë provash.