TIRANE - Komisioni Qendror Zgjedhor ka rrëzuar me 4 vota kërkesën ankimore të LSI për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Vorë. Vendimi i KQZ-së erdhi pasi mori në shqyrtim provat që Lëvizja Socialiste për Integrim solli për ankimimin për zgjedhjet në Bashkinë e Vorës, ku kërkohej pavlefshmëri e procesit zgjedhor në të paktën 18 qendra votimi.
Përfaqësuesi i LSI në KQZ, Ylli Manjani pas dhënies së verdiktit deklaroi se do ta adresojnë çështjen edhe në instancat e tjera, kjo pasi vendimi i KQZ për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve erdhi për shkak kompetencash dhe jo për shkak se fenomeni nuk ekziston.
?Më vjen mirë që anëtarët e KQZ ranë të gjithë dakord që ka një fenomen jo vetëm në Vorë. Vendimi i KQZ u dha për shkak kompetencash. Ne do ta kërkojmë këtë kompetencë, ka Prokurori dhe instanca të tjera."- tha Manjani.
KZAZ e Vorës shpalli fitues kandidatin e së djathtës me 258 vota më shumë se kandidati i majtë, por duke iu referuar pretendimit të LSI, në këtë njësi vendore janë regjistruar gjatë muajve të fundit në mënyrë fiktive më shumë se 700 qytetarë e që sipas kësaj force politike kanë marrë pjesë në votim të paktën 400 votues të cilët kanë lidhje familjare ose pune me kryetarin e bashkisë Fiqiri Ismaili.
Kërkesa e LSI është konsideruar e pabazuar në ligj nga ana e përfaqësuesve të PD në KQZ. Në këto kushte Njazi Kosovrasti i kërkoi KQZ të veprojë në të njëjtin standarde siç veproi me Durrësin. Në të njëjtën linjë përfaqësuesi i Partisë Republikane Arian Madhi tha se KQZ nuk ka kompetencë për të verifikuar vendbanimet dhe nuk mund të marrë vendim sa kohë kjo çështje është në hetim. Por përfaqësuesi i PS Genci Gjonçaj kërkoi pikërisht PD të mbajë të njëjtin standard siç kërkoi për Durrësin.