A1 Report - Rama për "Francë 24": S'jemi vend mysliman, por europian

2015-08-22 1

FRANCE- Në intervistën e dhënë për televizionin francez "France24" kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e procesit të integrimit europian për Shqipërisë. Kreu i qeverisë u është drejtuar vendeve të BE-së, duke u shprehur se "Shqipëria nuk është një vend mysliman, është një vend europian", që dëshiron t'i bashkohet familjes evropiane.

"Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që, të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. Për Europën kjo Shqipëri është një pasuri. E, të prezantohet thjesht si një vend mysliman është shumë e gabuar, dhe në anën tjetër të gjithë ata që e përshkruajnë historinë e Shqipërisë myslimane si një histori që na pengon që të shkojmë në Europë, atëherë më lejoni të them që më vjen keq për injorancën tuaj dhe kapacitetin për të kuptuar që Europa nuk është një klub i krishterë, por është diccka shumë më e madhe, më humane dhe më e mrekullueshme se kjo. Unë nuk kam dëgjuar kurrë të thuhet Franca kristiane, kam dëgjuar Franca laike, por sigurisht ka të krishterë dhe myslimanë", tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin në dhjetor, dhe se ky fakt nuk i bëri mirë as Shqipërisë dhe as rajonit.

Duke e cilësuar marrjen e statusit të vendit kandidat një etapë të rëndësishme, kryeministri Rama përmend edhe përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve dhe realizmin e reformave.