Venecia- Me një veshje që i shkon për shtat një evenimenti si ai i Bienales së Venecias kryeministri Edi Rama ka përshkuar pavionin shqiptar të përshtatur po ashtu me shijën e këtij evenimenti.
Shefi i qeverisë shqiptare ndërsa parakaloi në gjithë hapsirat shqiptare të Bienalës qëndroi gjatë në pavionin e arkitekturës ku në italisht ka provuar të përcjellë anën pozitive dhe jo atë që përcjell ankth të Shqipërisë.
"Për ne, për mua si Kryeministër i një vendi, i cili nga larg shihet si një vend që gjeneron ankth, është një betejë shumë e rëndësishme, nga njëra anë, për të investuar më shumë në kulturë dhe nga ana tjetër, për të paraqitur këtë anën tjetër të vendit, që paraqet një panoramë shumë rrezatuese dhe shumë tërheqëse, e përfaqësuar nga artistë vërtet të mëdhenj, jo vetëm në artin pamor, por edhe në muzikë dhe në të gjitha sferat e krijimtarisë" u shpreh Rama.