A1 Report - Replika Obama-Putin ne distance per situaten e krijuar ne Ukraine

2015-08-22 1

Presidenti amerikan Barack Obama ka dënuar taktikat e errëta dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë. Duke folur nga Polonia ai u shpreh se nuk mund t'i lejonin që taktikat e errëta të shekullit të XX të karakterizonin shekullin e XXI. Më herët në takimin që pati me presidentin ukrainas Petro Poroshenko ai u zotua se do ta mbështeste në planet për kthimin e paqes në vend.

Obama paralajmëroi Rusinë duke u shprehur se nuk do të lejonte pushtimin e Krimesë dhe dhunimin e sovranitetit të Ukrainës.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar në distancë ndaj deklaratave të Obamës, duke u shprehur në një intervistë se ai është gjithmonë i gatshëm për dialog, por kreu i Kremlinit dënoi "politikën tejet agresive në mbrojtje të interesave" që udhëhiqen nga Uashingtoni dhe e siguroi se Moska nuk asnjë qëllim të aneksojë apo destabilizojë juglindjen e Ukrainës.

Kriza e Ukrainës është një nga çështjet e diskutimit në samitin e liderëve të G7 që po zhvillohet në Bruksel. Rusia, për herë të parë që prej vitit 1997 kur iu bashkua këtij klubi, është lënë jashtë këtij samiti për shkak të aneksimit të Krimesë dhe destabilizimit të gjendjes në Ukrainën Lindore.