KURBIN- Detaje të reja janë zbuluar nga policia për vrasjen e dyfishtë të ndodhur, 1 javë më parë në Fushë Kuqe të Kurbinit, ku nëna vrau vajzën e saj 15-vjeçe dhe më pas veten. Pas analizave të "ADN" të 15-vjeçares të bëra në Tiranë ka rezultuar se ajo nuk ka qenë me ndonjë person në momentin kur ka ndodhur ngjarja siç u deklarua fillimisht nga policia.
Analizat e kryera në Tiranë me kërkesë të familjarëve kanë rezultuar se vajza nuk ka patur marrëdhënie intime me asnjë person.
Është bërë e ditur gjithashtu se ditën kur ka ndodhur ngjarja, ka rezultuar se nënë e bijë kanë qenë me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës. Që në orën 9 të mëngjesit ata kanë shkuar bashkë për të dërguar bagëtitë në fushë, dhe më pas janë kthyer në një market afër shtëpisë për të blerë.
Krahas dëshmive të familjarëve dhe fqinjëve të familjes Keçi, policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të marketit të cilat kanë faktuar se nënë e bijë kanë qenë bashkë duke blerë dhe më pas i janë drejtuar shtëpisë së tyre.
Gjithashtu është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur 50 metra larg kasolles, ku fillimisht u deklarua se vajza mund të ketë qenë më një person tjetër.
Duke ju referuar këtyre fakteve dhe provave të gjetura, policia e Kurbinit e ka hedhur poshtë faktin që vajza ka qenë më një person tjetër.
Nga ana tjetër është bërë e ditur se 15-vjeçarja ka munguar në shkollë ditën kur ndodhi ngjarja, pasi në drekë kishin planifikuar për të shkuar në festë bashkë me familjen tek një i afërm i tyre në Shkodër.
Mister mbeten ende motivet që e detyruan 40-vjeçaren Mimoza Keçi që të vrasë vajzën e saj 15-vjeçare dhe më pas veten.
Por nga deklarimet e familjarëve policia ka bërë të ditur se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të depresionit që kë patur gruaja. Kohet e fundit Mimoza Keçi kishte shfaqur shenja mërzie për shkak të emigrimit të djalit të saj në SHBA.