SHKUP- Zgjidhja e çështjes së emrit do t'i hapte rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, përndryshe kjo çështje mban peng integrimin europian të vendit. Gjatë takimit që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmussen, zhvilloi në Shkup, ishte i prerë lidhur me këtë çështje, duke shuar çdo shpresë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë në Samitin e shtatorit. Ai tha se vendimi i Bukureshtit i vitit 2008, pavarësisht rrethanave, është akoma në fuqi, dhe se ai reflekton qëndrimin e të gjitha shteteve anëtare.
Ndërkaq, sipas korrespondentes tonë në Maqedoni Zerijeta Jajaga, Rasmussen tha se Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësimin në NATO kur të gjendet një zgjidhje për çështjen e emrit, ndërsa ka shprehur bindjen se edhe Greqia do të jetë e gatshme për të bashkëpunuar në çështjen e zgjidhjes së emrit.
Më tej, Rasmussen bëri thirrje për lidership të guximshëm dhe vendosmëri.
Lidhur me këtë çështja ka folur edhe lideri i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti, pak minuta pas takimit me Rasmussen.
"Ky ishte një takim shumë i rëndësishëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Çështja kryesore e takimit ishte anëtarësimi i vendit tonë në NATO. Rasmusesn kërkoi të dijë se deri ku janë pozicionet midis Maqedonisë dhe Greqisë, në drejtim të arritjes së kompromisit, për një çështje që i hap rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Rasmussen kërkon angazhim shumë më të madh nga ne, në drejtim të zgjidhjes së këtij konteksti, dhe është i bindur se Maqedonia e ka vendin në NATO, por duhet të zgjidhet kjo çështje me fqinjin jugor. NATO kërkon që bisedimet me Greqinë të intensifikohen, dhe të zgjidhet kjo çështje.
Unë kërkova një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojnë në afrimin e palëve dhe në gjetjen e një kompromisi të pranueshëm për ta", tha Ahmeti.
Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së Andres Fog Rasmusen vjen në prag të samitit të Aleancës në Kardif në shtator, ku pritet që në agjendë të jetë edhe zgjerimi i saj.
Ndërsa lidhur me situatën e krijuar në Maqedoni pas vrasjes së një të riu maqedonas nga një i ri shqiptar, nuk ka patur ndonjë qëndrim, duke shmangur deklaratat.