SHKUP- Ka zgjedhur të udhëtojë nga Prishtina për në Shkup me eskortën e makinave zyrtare, për t'iu shmangur aeroportit "Aleksandri i Madh", ndërsa gjatë qëndrimit në Maqedoni, ministri i Jashtëm grek ka shmangur të gjitha institucionet dhe ambientet të cilat kanë mbishkrime të Republikës së Maqedonisë.
Evangelos Venizelos, njëherësh zëvendskryeministër i Greqisë, refuzoi gjithashtu konferencën e përbashkët me Ministrin e Jashtëm Nikolla Popovski, për shkak se në sallën e konferencave në prapavijë ishte mbishkrimi "Republika e Maqedonisë".
Kjo u bërë e ditur edhe nga vetë Popovski, i cili shtoi se gjatë takimit u bisedua për çështjen e emrit të Maqedonisë, por edhe për presidencën greke të Këshillit të Bashkimit Europian.
Megjithatë, vizita e Ministrit të Jashtëm grek nuk pritet të sjellë një zgjidhje në çështjen e emrit të Maqedonisë, e cila ka bllokuar dhe integrimin e vendit në BE dhe në NATO. Greqia insiston se emri i Maqedonisë nënkupton pretendime territoriale të provincës greke të quajtur gjithashtu Maqedoni.
Venizelos vizitoi Shkupin zyrtar në kuadër të turit në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai u takua me presidentin maqedonas Gjorge Ivanov, kryeministrin Nikola Gruevski, dhe zv. Kryeministrin për Çështjet Europiane Fatmir Besimi.