TIRANE - Hetimet për një plagosje nga Komisariati numër 2 i Policisë së Tiranës kanë zbuluar bazën e shitjes së eksplozivëve në Tiranë. Katër persona, Ilir Dhimo, 36 vjeç dhe Pëllumb Daci, 46 vjeç me origjinë nga Kruja dhe Emild Taku, 27 vjeç dhe Artur Çelo 40 vjeç nga Tirana janë arrestuar ndërsa policia ka sekuestruar një arsenal me eksplozivë dhe municione.
36-vjeçari Dhimo sipas policisë është personi që siguronte eksplozivët dhe municionet, ndërsa Daci, Taku dhe Çelo ishin sekserët për gjetjen e personave të interesuar për t'i blerë.
Grupi ishte në gjëndje të siguronte eksplozivë me kilogramë dhe të shitnin një kilogramë C4 për një çmim prej 1000 eurosh.
Burimet thanë se nuk ka informacione që katër të arrestuarit të kishin mundësitë për t'i montuar vetë eksplozivët me komadim në distancë, por ata i shitnin në pjesë dhe vetë grupet kriminale kryenin montimin e bombave pasi blerjes.
Policia ka ndërhyrë në një moment shitblerjeje, ndërse është ende e paqartë sesi kanë mundur të largohen blerësit.
Në rrugën Sadik Petrela, Ilir Dhimo ishte me një motor papaq, Daci me automjetin tip Audi, ndërsa Çelo me biçikletë në pritje të blerësve me 10 kilogramë C4 me vete për shitje.
Të katër ishin shpërndarë për të parë edhe nëse kishte oficerë policie apo për të shmangur çdo mundësi që të binin në sy. Por duket se nuk ja kanë dalë.
Ka qenë një koordinim i saktë i hetimit të krimit në drejtorinë e policisë së Tiranës mes informacionit të Komisariatit numër 2 dhe skuadrës së operacioneve speciale për kapjen e 4 pjesëtarëve të grupit.
Pjesa më e madhe e eksplozivëve dhe aksesorëve për montimin e bombave është gjetur në banesën e Dhimos, ndërsa banesat e tre të arrestuarve të tjerë kanë qenë të pastra përsa i përket lëndëve dhe materialeve kompromentuese.
Kjo është edhe sasia më e madhe e eksplozivëve të sekuestruara nga policia e Tiranës në vitete e fundit.