A1 Report - Ligjet 'rrezojne' Nishanin, s'ka kompetence per kreun e ILDKP

2015-08-22 1

TIRANE - Mazhoranca rrëzon dekretin e presidentit Nishani që kthente për rishqyrtim ligjin për zgjedhjen e kreut të e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga Parlamenti dhe jo nga Presidenti. Mes debatesh të forta në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku ashtu siç pritej mazhoranca dhe opozita mbajtën qëndrime të ndryshme, pr/ligji u rivotua me 16 votat pro të shumicës ndërsa opozita braktisi mbledhjen.

Relatorja Vasilika Hysi është shprehur se janë të pabazuara argumentat e Presidentit duke e cilësuar kthimin e ligjit nga ana e Presidentit të pavend. Ndërsa nënkryetari i komisionit Oerd Bylykbashi tha se kjo nuk është asgjë veçse një tjetër hap i kësaj mazhorance për të kapur institucionet.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho i ka rikujtuar edhe një herë Presidentit se edhe ai zgjidhet dhe shkarkohet prej Kuvendit. Po ashtu ai lajmëroi se së shpejti do të bëhet një ligj i ri vetëm për kompetencat e Presidentit ndërsa ka hedhur akuza ndaj kreut të shtetit duke u shprehur se ka futur në handikap Gjykatën e Lartë, duke mos plotësuar vakancën.

Këto debate sollën edhe largimin e opozitës nga salla kur kjo e fundit ka disa ditë që nuk merr pjesë në punimet e komisioneve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa pak para se të hidhte në votim dekretin u shpreh se presidenti është i përfshirë në llogore politike ndërsa theksoi se mazhoranca është e shqetësuar për të luftuar korrupsionin.

Dekreti i presidentit pritet të rrëzohet edhe në Kuvend dhe kërkon shumicë absolute votash.

RREZIMI I DEKRETIT, NISHANI DREJT KUSHTETUESES
Presidenti Nishani lë të nëkuptuar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dekretit të tij nga votat e mazhorancës sa i përket ligjit të ILDKP-së.

Kreu i shtetit shprehu qëndrimin se do të jenë institucionet kushtetuese ato që do të zgjidhin konfliktet.

"S'i Presidenca edhe Kuvendi dhe çdo institucion tjetër, ka të drejtën të veprojë mbi bazën e parashikemeve dhe tagrit të tij kushtetues. Qëndrimi i Parlamentit është sovran dhe çdo konflikt mes institucioneve, do të zgjidhet nga institucionet përkatëse për të zgjidhur këtë konflikt, sipas Kushtetutës", tha Nishani.

Deklarata e Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani u bë gjatë konferencës me homologun austriak pas takimit të zhvilluar mes tyre në ambjentet e presidencës.