A1 Report - Lezhe, policia bashkiake aksion per lirimin e trotuareve

2015-08-22 2

LEZHË - Konfiskim malli, heqje e tabelave reklamuese dhe lirimi i të gjithë trotuareve në territorin e Bashkisë së Lezhës ka shoqëruar aksion e Policisë Bashkiake.

Trotuarët në akset kryesore dhe qendra e qytetit janë çliruar të parat nga zaptimi që kishin bërë dyqanet, lokalet dhe tregtaret ambulant. Në disa raste është hasur edhe në rezistencën e pronarëve të tyre, të cilët kanë debatuar ashpër me drejtuesit e bashkisë pas konfiskimit të mallit.

Nuk kanë qenë të paktë subjektet që janë prekur nga ky aksion i Policisë Bashkiake, që në fakt vjen pas reagimit të qytetarëve.

Ndonëse nuk paguanin asnjë taksë shtesë për zënien e hapësirave publike, bizneset në Lezhë nuk i kishin kursyer trotuaret për të reklamuar mallin e tyre, ndërsa po kaq të shumta kanë qenë edhe tabelat reklamuese që ishin vënë pa lejen e bashkisë.

Një masë e tillë vjen në një kohë kur ka filluar të frekuentohet ndjeshëm shëtitja e qytetarëve në orët e mbrëmjes, por që janë përballur pikërisht me këto pengesa.

Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se aksioni nuk është i rastësishëm dhe as ditor, por do të vijojë në mënyrë koherente dhe pa asnjë tolerancë.

Për shkak të hapësirave të vogla publike, çlirimi i trotuareve shihet si një zgjidhje kur pritet që fluksi i vizitorëve të vijë gjithnjë në rritje, dhe domosdoshmërisht është e nevojshme që t'u krijohen atyre të gjitha lehtësitë për të kaluar sa më mirë në këtë qytet gjatë qëndrimit të tyre.

Pas rrugëve kryesore, Policia Bashkiake pritet që të veprojë edhe në brendësi të lagjeve.