DURRES- Stacioni i policisë kufitare në portin e Durrësit u inspektua gjatë ditës sotme nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani. Qëllimi i këtij inspektimi ishte njohja nga afër me parametrat e sigurisë në terminalin e portit të Durrësit, i cili është ndër më të rëndësishmit në vend dhe gjatë kësaj periudhe përballet me një fluks pasagjerësh dhe mallrash.
Ministri Tahiri teksa refuzoi të komentoje sekuestrimin e një sasie prej 47 ton cigaresh kontrabandë në këtë port, u ndal tek nevoja e rritjes së sigurisë në këtë pikë kufitare, e cila sipas tij duhet të jetë e hapur për qytetarët dhe e mbyllur për trafiqet.
Në të njëjtën linjë me Tahirin ishte edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili ndër të tjera u shpreh se bashkëpunimi mes ministrisë që ai drejton dhe Ministrisë së Brendshme është mjaft i ngushtë dhe produktiv.
Dy ministrat premtuan se inspektimet në pikat kufitare do të jenë më intensive në të ardhmen.