A1 Report - Bushati e Venizelos nenshkruajne marreveshjen per toponimet

2015-08-22 3

BRUKSEL- Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek Evangelos Venizelos kanë arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me çështjen e toponimeve. Në takimin në Bruksel ministrat e Jashtëm vendosën që deri në datën 1 janar të vitit 2015 të realizohet një katalog i ri zyrtar për të shmangur problemet e shtetasve shqiptarë.

Ndërkohë gjatë periudhës tranzitore të përgatitjes së dokumenteve do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve bazuar në praktikën ekzistuese të "moratoriumit".

Në deklaratën e përbashkët për shtyp mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë mbi zgjidhjen e çështjes së toponimeve shkruhet se është e nevojshme që toponimet të shprehen në një mënyrë uniforme. Qëllimi kryesor është shmangia e konfuzionit që të krijohet nga format e ndryshme të përkthimit ose shqipërimin të emrin të një vendi.

Deklarata thekson se ministrat e dy vendeve angazhohen të ndërmarrin të gjithë hapat/masat ligjore dhe administrative për zbatimin e kësaj procedure, jo më vonë se data 1 janar 2015.