A1 Report - Carlo Bollino dhe 'Heshtja e dyfishte' i prezantohen lexuesit fierak

2015-08-22 1

FIER - "E vërteta mbi armët kimike në Shqipëri" është përçuar kësaj here edhe në qytetin e Fierit, ku autori i librit "Heshtja e dyfishtë" ka treguar të pathënat e negociatave mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me asgjesimin e arsenalit sirian.

Gjatë prezantimit të librit, nën moderimin e gazetarit Ilir Babaramo, lexuesi fierak ka mundur të mësojë pikë së pari se pse u zgjodh pikërisht Shqipëria për këtë asgjësim dhe se çfarë kanë biseduar autoritetet shqiptare dhe amerikane për armët kimike.

"Autoritetet ushtarake amerikane,"- tha ai, - "dëshironin, veçanërisht për çështje të sigurisë, t'i dorëzonin armët në një vend ku të kishin kontroll të plotë të operacionit dhe jo një vend tjetër, që në një farë mënyre do të kërkonte pjesëmarrje në atë operacion. Shqipëria ishte gati, e jepte këtë garanci; bile Shqipëria kishte kërkuar që në rast se do të pranonte asgjesimin, të gjithë operacionin do ta linte në dorë të amerikanëve, pasi specialistët shqiptarë nuk kishin ksperiencën e duhur për një operacion aq të ndërlikuar."

Bollino ka sqaruar më tej, si në libër, edhe pozicionin e opozitës shqiptare në periudhën e protestave të zhvilluara në kryeqytet. Sipas tij, demokratët nuk ishin kundër asgjesimit të lëndëve kimike në Shqipëri, por thjesht donin të bëheshin pjesë e këtyre bisedimeve.

"Nuk është e vërtetë se opozita ka shpallur qëndrim antiamerikan; kjo nuk është e saktë,"- u shpreh ai. - "Përkundrazi, opozita e ka mbrojtur qëndrimin amerikan dhe nuk është shprehur asnjëhërë kundër armëve kimike. Në datën 15 dhjetor, Rama e ka refuzuar zyrtarisht asgjesimin në Shqipëri, por deri më 13 dhjetor, opozita ishte pro armëve kimike; ajo donte vetëm të merrte pjesë në tryezën e bisedimeve."

Bollino i është përgjigjur edhe interesit të lexuesve lidhur me armët kimike, për të cilat gazetari i njohur shpjegoi se në të vërtetë bëhej fjalë për lëndë kimike dhe jo armë.

Promovimi i librit "Heshtja e dyfishtë" i autorit Carlo Bollino u zhvillua në ambientet e Bashkisë Fier, me praninë e emrave të shquar të letrave shqipe, të cilët kanë qenë pjesë e shumë promovimeve dhe konferencave shkencore të zhvilluara gjatë ditëve të Panairit të Librit 2014 si dhe dashamirësve të shumtë të librit.