Mbyllet sot gara e "Albania Open", Presidenti i Ora News, Ndroqi: Promovojmë turizmin

2015-08-22 5

Vlore- "Albania Open", aktiviteti i përvitshëm i aeronautikës shqiptare që zhvillohet në Vlorë me mbështetjen mediatike të RTV Ora News, mbyll sot siparin me mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve për pilotët fitues.

Për presidentin e RTV Ora News, Ylli Ndroqi mbështetja e përvitshme ndaj këtij aktiviteti nuk është vetëm një mbështetje ndaj sportit, por edhe një promovim që i bëhet turizmit shqiptar.

"Ky aktivitet sportiv në Vlorë është një vlerë që ne ia shtojmë vendit tonë. Është një promovim shumë i rëndësishëm, që ne i bëjmë sezonit turistik në Vlorë pasi në garat e 'Albania Open' ka pilotë pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe Evropa. " u shpreh zoti Ylli Ndroqi në një prononcim nga mali i Shashicës.

Madje ai iu bashkua këtij evenimenti, duke bërë hedhje të lirë me parashutë, një sport të cilit i kishte munguar prej më shumë se dy vitesh.

"Frikë nuk është. Është kënaqësi të provosh sporte të tilla dhe të shijosh peisazhin që ka Vlora. Unë jam mësuar me sporte. Më pëlqen çiklizmi, motorat. Mbështes dhe boksin por s'e kam provuar ndonjë herë (qesh) ."

I pranishëm ishte edhe kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj i cili falenderoi mikun e tij, biznesmenin Ylli Ndroqi dhe institucionet shtetërore.

Sonte mbrëmja gala
'Albania Open', ky aktivitet sportiv me media partner RTV 'Ora News' mbyllet sonte me një mbrëmje gala ku do të ndahen edhe çmimet. RTV Ora News është media partner i këtij aktiviteti prej 5 vitesh.

Prej 7 majit në këtë aktivitet të përvitshëm për aeronautikën shqiptare kanë marrë pjesë mbi 80 parashutistë nga disa vende të Europës por edhe nga Shqipëria.

Të shumtë janë edhe ato parashutistë që bënë sot hedhjen e lirë nga maja e malit të Shashicës për në bregdetin e Vlorës.

Aktiviteti Live ne RTV Ora News
Që prej ditës së parë, 7 maj RTV Ora News transmeton live aktivitetin e turneut "Albania Open" në orare të ndryshme të ditës. Do të transmetohet live në Ora News edhe spektakli që do të zhvillohet për ndarjen e çmimeve sot në orën 21: 00.

Free Traffic Exchange