A1 Report - Rokanas: Do zgjidhim çeshtjen e toponimeve, mbeshtetje për statusin

2015-08-22 1

GJIROKASTËR - Ambasadori grek Leonidhas Rokanas, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Gjirokastër, ku ka marrë kontakt me krerët më të lartë vendorë si kryebashkiakun Flamur Bime dhe prefekten e qarkut Zamira Rami. Qëllimi i vizitës së diplomatit grek siç tha vetë ai, ka qenë intensifikimi i raporteve mes dy vendeve fqinje dhe shtrimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok. Një temë diskutimi ka qenë edhe çështja e debatueshme e toponimeve, e cila përbën një shqetësim më vete, sidomos për familjet e shqiptarëve fëmijët e të cilëve kanë vendlindjen në shtetin grek.

"Nuk do të lodhem duke e thënë se vendet tona kanë lidhje të veçanta historike dhe kulturore dhe në këtë frymë bashkëpunimi, do të zgjidhim edhe çështjen e toponimeve. Për këtë të fundit jemi duke diskutuar pasi nuk janë vetëm toponimet të cilat janë të gërshetuara, por edhe raportet e pasura mes dy kombeve dhe njerëzve si shqiptarët e Greqisë, apo dhe grekët e Shqipërisë. Në këtë kuadër, një rol të veçantë dhe mjaft të rëndësishëm, vendi ynë po kontribuon në përfitimin e statusit kandidat për Shqipërinë", u shpreh Rokanas.

Vizita e Rokanas në Gjirokastër, vjen e dyta në 4 muajt e fundit, pas prezencës së tij në festën e Omonias.