TIRANE- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u ka kërkuar drejtuesve të bankave private që bashkarisht të lirojnë financimin për biznesin vendas, me qëllim rigjenerimin e ekonomisë. Gjatë një takimi me dyer të mbyllura, kreu i Financave kërkoi nga bankierët që paralel me disbursimin e borxheve të prapambetura të shtetit ndaj biznesit, bankat të rrisin kredidhënien. Ministri Cani u bëri të ditur bankave se, miratimi i strategjisë së shlyerjes së borxheve ndaj kompanive dhe individëve nuk sjell leverdi vetëm për biznesin, por edhe për bankat, të cilat janë rënduar nga kreditë me probleme.
Këto të fundit parashikohet të zbresin me 3-4 pikë përqindje, nëse llogarisim fondin e parashikuar në buxhet prej 350 mln dollarësh, që parashikohet të shkojë për detyrimet e papaguara ndaj kompanive.
Rritja e kredive me probleme ka sjellë stepjen e bankave për të kredituar ekonominë, por drejtuesit e bankave u shprehën optimistë se nisja e pagesave nga qeveria për projekte që presin me vite shlyerjen e detyrimit do të çlirojë sistemin. Sipas bankierëve, shlyerja e borxheve të vjetra do t'i japë një frymëmarrje ekonomisë, ndërsa përfshirja e FMN-së në këtë proces e bën Shqipërinë më të besueshëm në sytë e ndërkombëtarëve.
Ministri kërkoi nga bankat më shumë bashkëpunim. Në lidhje me mënyrën e pagesës së borxhit ndaj firmave dhe avantazhin e bankave në këtë proces, Cani ftoi drejtuesit e sektorit bankar të shikojnë gjetjen e zgjidhjes, në mënyrë që të sjellë edhe shlyerjen e kredive.
Ministria e Financave ndodhet aktualisht në një proces të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit të likuiditetit në ekonomi. Shumë shpejt pritet të firmoset marrëveshja e huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me vlerë 350 mln dollarë. Ky fond do të shkojë për të shlyer detyrimet e papaguara të qeverisë shqiptare ndaj kompanive private.