TIRANË- Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, ka zgjedhur këtë të premte të jetë e pranishme në një aktivitet për 400-vjetorin e themelit të kryeqytetit, si përfaqësuese e një prej familjeve më të vjetra Tiranase.
Ajo ka mbërritur e shoqëruar nga babai i saj, i cili ka qëndruar përkrah Lindës gjatë gjithë ekspozitës. Prania e Linda Ramës ka tërhequr vëmendjen e të gjithë, por vetë Linda është ndjerë si në shtëpinë e saj dhe ka mirëpritur urimet e pafundme për foshnjën që pritet të vijë në jetë së shpejti.
Në një intervistë për "A1 Report", Linda Rama, u shpreh se e veçanta e këtij aktiviteti është se ka mbledhur bashkë tiranës dhe jo tiranas, por që së bashku kanë kontribuar për një Tiranë më të mirë.
"Më duket shumë ide e mirë. Sigurisht vjen nga një bashkëqytetarë i imi që është zoti Reli, një njëri i cili është një pasardhës i kontributeve për fotografi. Më duket e mirë si ide se bëhet në kuadrin e një përvjetori që është i rëndësishëm', shprehet Linda Rama.
"Kjo është një nga mrekullitë e kësaj ekspozite, sepse Tirana ka shumë e shumë vite tani, që nuk është vetëm e tiransve ose e një popullsie masive prej Tirane por është qyteti i shumë kontribuesve të cilët kanë dhënë shumë për Tiranën, shumë për shoqërinë kanë dhënë shumë për Shqipërinë" , thotë bashkëshortja e kryeministrit, Linda.