TIRANE- Oficeri i krimeve që dyshohet të ketë liruar Dritan Demirajn nga qelitë e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, është përjashtuar nga Policia e Shtetit për një tjetër shkelje të rëndë.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave oficeri me inicialet L.F., është përjashtuar nga policia në 25 prill për zhdukjen e një pistolete që ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Oficeri dyshohet të jetë përfshirë në ngjarjet që pasuan tentativën e parë të vrasjes së Klaudio Dines, nga djali i hallës së tij, Dritan Demiraj.
Ky i fundit me pretendimin se kushëriri i tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij italiane, në korrik tentoi ta vrasë në banesën në Tiranë.
Demiraj u arrestua nga policia pas ngjarjes, po u lirua në më pak se 16 orë.
Vetë Demiraj ka pranuar për prokurorët e Riminit, se në komisariat kishte rastisur me oficerin e policisë me iniciale L.F., me të cilin kishte qenë shok në një ekip boksi në Tiranë. Oficeri e ndihmoi të dalë.
Pas kësaj në dhjetor, Demiraj kryen një tjetër tentativë për vrasjen e kushëririt, ndërsa në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit vret bashkëjetuesen italiane Lidia Nusdorfi dhe të dashurin e saj italian Silvio Mannina.