TIRANE- Partia Demokratike ka denoncuar sërish emërimet në institucionet arsimore në vend. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi tha se në gjimnazin "Naim Frashëri" në Fier, është emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskali, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion.
Sipas Vorpsit ", kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë".
Duke akuzuar qeverinë Rama për "hapa mbrapa në arsimin publik", zëdhënësja e PD-së tha se në drejtoritë burimore janë bërë emërime nga radhët e militantëve të PS.
"Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë", u shpreh Vorpsi.