Në një kohë kur nuk mungojnë aksidentet në rrugët shqiptare, veprimet e papërgjegjshme të drejtuesve të mjeteve apo motorëve nuk njohin kufi.
"A1Report' ka mundur të sigurojë një video të xhiruar nga disa të rinj në autostradën e kombit ku të grupuar me mbi 10 motorë duke ecur, jo vetëm shkelin kodin rrugorë në mungesë të skafandave mbrojtëse por kthehen në një rrezik dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Të rinjtë në orët e para të mëngjesit, atëherë ku dhe Policia Rrugore me sa duket mungon në kontrollin e këtij aksi, kryejnë këto veprime. Nga pamjet duket qartë se veprimet e të rinjve duke ecur për minuta të tëra me një rrotë në motorët e tyre, jo vetëm rrezikojnë të përfshihen në aksident por bllokojnë dhe një anë të karexhatës duke bllokuar trafikun.
E teksa garat apo ekstremet sportive të të rinjve me makina apo motor tashmë bëhen në mes të ditës në akse kombëtare si Rruga e Kombit, ajo çka mbetet është ndërhyrja e policisë rrugore apo e rendit për të shmangur këto veprime që rrezikojnë jo pak përdoruesit e rrugës.