A1 Report - Nendrejtori e kapi duke ikur nga shkolla, hidhet nga kati 3

2015-08-22 4

TIRANË -- Pikasja nga nëndrejtori, e një gjimnazisteje që po tentonte të linte ambjentet e shkollës gjatë zhvillimit të orëve mësimore, duket se ka çuar 17-vjeçaren në aktin ekstrem, duke u hedhur nga dritarja e korridorit të katit të tretë të shkollës e duke rënë në tarracën e katit të dytë të godinës.

Ngjarja e pazakontë është shënuar në gjimnazin "Aleks Buda" në zonën e Laprakës në kryeqytet, ku nxënësja e vitit të dytë me inicialet D.E dhe një nxënëse tjetër, janë pikasur nga nëndrejtori Rrok Pjetri, teksa diskutonin me rojen e shkollës për të dalë jashtë. Në një intervistë për gazetarin e A1 REPORT, Arsen Rusta, nëndrejtori Rrok Pjetri rrëfen se i ka pyetur vajzat nëse kanë marrë leje dhe ka marrë përgjigjen prej dy nxënëseve se ka qenë mësuesja kujdestare ajo që i ka dhënë leje.

Por pas verifikimeve nëndrejtori ka konstatuar se për vajzat nuk ka pasur asnjë leje, çka dyshohet të ketë shtyrë adoleshenten të ndërmarrë aktin ekstrem, i cili mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike.

Nga bluzat e bardha në spitalin e Traumës mësohet se 17-vjeçarja ka fraktura në gjymtyrë, ndërsa urgjenca e cila mbërrti në gjimnazin "Aleks Buda" e gjeti adoleshenten pa ndjenja.

Policia ka nisur me marrjen në pyetje të nëndrejtorit, nxënësve dhe stafit pedagogjik për të zbardhur situatën.


NIKOLLA MBLEDHJE URGJENTE ME STAFIN PEDAGOGJIK: ZBATUAT RREGULLIN
Menjëherë pas ngjarjes, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mbërriti në gjimnazin "Aleks Buda" dhe zhvilloi një mbledhje urgjente me stafin pedagogjik. Pas takimit, ministrja bëri të ditur për mediat se stafi pedagogjik zbatoi rregullin duke mos e lejuar nxënësen të dilte nga shkolla. Sipas saj adoleshentja ka tentuar të largohet nga orët mësimore edhe herë të tjera, ndërsa mësohet se prindërit e 17-vjeçares janë të divorcuar.