A1 Report - 17-vjeçarja hidhet nga gjimnazi A.Buda, deklaratat e Min. Nikolla dhe nën drejtorit

2015-08-22 1

TIRANË -- Pikasja nga nëndrejtori, e një gjimnazisteje që po tentonte të linte ambjentet e shkollës gjatë zhvillimit të orëve mësimore, duket se ka çuar 17-vjeçaren në aktin ekstrem, duke u hedhur nga dritarja e korridorit të katit të tretë të shkollës e duke rënë në tarracën e katit të dytë të godinës.

Ngjarja e pazakontë është shënuar në gjimnazin "Aleks Buda" në zonën e Laprakës në kryeqytet, ku nxënësja e vitit të dytë me inicialet D.E dhe një nxënëse tjetër, janë pikasur nga nëndrejtori Rrok Pjetri, teksa diskutonin me rojen e shkollës për të dalë jashtë. Në një intervistë për gazetarin e A1 REPORT, Arsen Rusta, nëndrejtori rrëfen se i ka pyetur vajzat nëse kanë marrë leje dhe ka marrë përgjigjen prej dy nxënëseve se ka qenë mësuesja kujdestare ajo që i ka dhënë leje.

Por pas verifikimeve nëndrejtori ka konstatuar se për vajzat nuk ka pasur asnjë leje, çka dyshohet të ketë shtyrë adoleshenten të ndërmarrë aktin ekstrem, i cili mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike.

Nga bluzat e bardha në spitalin e Traumës mësohet se 17-vjeçarja ka fraktura në gjymtyrë, ndërsa urgjenca e cila mbërrti në gjimnazin "Aleks Buda" e gjeti adoleshenten pa ndjenja.

Policia ka nisur me marrjen në pyetje të nëndrejtorit, nxënësve dhe stafit pedagogjik për të zbardhur situatën.