A1 Report - Rastet me antraks, Ministria e Bujqesisë: Gjithçka ne kontroll

2015-08-22 1

TIRANË - Ministria e Bujqësisë ka reaguar në lidhje me rastet e të infektuarve me antraks në Tepelenë. Me anë të një konference për median drejtoresha e Shërbimit Veterinar, Shpresa Arbi, deklaroi se, "Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave deklaron se sëmundjet zoonotike, ose sëmundjet që kalojnë nga kafsha te njeriu, janë nën kontroll të plotë".

"Rastet e evidentuara në Tepelenë me plasje në 5 persona, janë të izoluara, dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale dhe mosndërgjegjësimi i fermerëve në zona të ndryshme të vendit", tha Arbi.

Sipas saj, "Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes".

Arbi tha se, "e gjithë zona është vënë nën kontroll veterinar dhe u vaksinuan 4000 krerë që mbarështroheshin në këtë zonë". "Ministria e Bujqësisë, në planin kombëtar të parandalimit të sëmundjes së plasjes ka vaksinuar 165 mijë krerë në qarkun e Gjirokastrës dhe vazhdon monitorimi", nënvizoi drejtoresha e Shërbimit Veterinar.

Arbi tha se, "në rang Republike në kuadër të programit kombëtar, janë vaksinuar 410 mijë krerë të imeta, gjedhë, kuaj, derra me vlerë prej 18 milionë lekësh të reja". "Si rezultat i planit kombëtar të vaksinimit, pas vitit 2009 deri ne vitin 2013, prirja e semundjes paraqet nje ulje e te theksuar. Ministria e Bujqësisë ka një fushate ndërgjegjësimi për masat që duhen marrë në rastet kur shfaqen sëmundje të tilla", deklaroi Arbi.

Drejtoresha e Shërbimit Veterinar tha se, i bën apel fermerëve që në rastet e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të tilla te kafshët, të lajmërojnë menjëherë shërbimin veterinar zyrtar, shërbimin veterinar të komunave e bashkive dhe gjithë veterinerët private që operojnë në zonat e tyre.

"Ministria e Bujqësisë siguron se situata është nën kontroll të plotë, për të garantuar shëndetin e konsumatorit", përfundoi deklaratën e saj, drejtoresha e Shërbimit Veterinar, Shpresa Arbi.

Free Traffic Exchange