A1 Report - "Gjika", ish-drejtori i Urbanistikes: Lejet kalonin dhe direkt ne KRT

2015-08-22 1

TIRANË - Ish-drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës, Dorjan Hurdha, deklaron se ka patur raste që kërkesat për leje dhe sheshe ndërtimi kanë kaluar direkt në Këshillin e Rregullimit të Territorit pa u paraqitur më parë për shqyrtim në Këshillin Teknik, pasi sipas tij ky këshill ka patur vetëm rol këshillues e jo vendimarrës.

Këtë fakt Hurdha e bëri publik gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësorë ku i pandehur është dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i cili për të tretën herë nuk është i pranishëm në seancë.
Ish-drejtori planifikimit Urban, i cili aktualisht mban postin e inxhinierit në Bashkinë Vlorë, tha gjithashtu se ka patur raste që propozimi i kërkesave për leje bëhej direkt në mbledhje nga kryetari apo qoftë edhe anëtarët.
Prokurori kërkoi kundërshtimin e dëshmisë së Hurdhës në disa pika, pasi sipas organit të akuzës i pyetur kohë më parë në policinë gjyqësore në cilësinë e dëshmitarit ky shtetas ka dhënë tjetër version.
Përveç Gjikës, në seancë nuk ishin të pranishëm as 4 të pandehurit e tjerë, që siç mësohet përfaqësoheshin nga avokatët e mbrojtjes.
Ndërkohë, tre të pandehur të çështjes "Gjika" u kanë rënë akuzat pas amnistisë së bërë nga qeveria që hyri në fuqi në datën 10 prill 2014. Gjithashtu dhe tre të pandehur të tjerë janë lehtësuar nga akuzat, pasi u ka rënë ajo e ndërtimit pa leje.
Seanca e rradhës do të mbahet më 28 prill, ku të thirrur për interes të Prokurorisë do të dëshmojnë Theodhoraq Pashaj, Ilir Troci dhe Eduart Meminaj.