VATIKAN- Nga sheshi "Shën Pjetër" në Vatikan Papa Françesku ka mbajtur meshën "Urbi et Orbi" para 150 mijë besimtarëve të krishterë. Kreu i Vatikanit ka bërë thirrje për paqe kudo në botë. Në mesazhin e tij ai dërgoi lutje të veçanta për njerëzit që vuajnë në vendet ku ka konflikte si në Siri, Ukrainë dhe Afrikë. Ne të lutemi ty Jezus t'i japësh fund të gjitha luftërave e të gjitha konflikteve, i madh apo o vogël qoftë ai, ka thënë kreu i Selisë së Shenjtë në mesazhin e tij "Urbi et Orbi".
Ceremonia e Pashkëve është mbajtur edhe në Moskë në Katedralen e Jezusit Shpëtimtar. Patriarku ortodoks rus, Kirill mbajti ceremoninë ku ishin të pranishëm qindra besimtarë, mes të cilëve edhe presidenti rus, Vladimir Putin, kryeministri Dimitri Medvedev dhe bashkëshortja e tij, si dhe kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin. Zjarri i Shenjtë mbërriti nga Jeruzalemi në Moskë në orët e vona të së shtunës dhe pas kësaj patriarku lajmëroi ringjalljen e Krishtit me fjalët: Krishti u ngjall.
Mijëra besimtarë të krishterë kremtuan Pashkët edhe në Jeruzalem. Ceremonia e Zjarrit të Shenjtë u zhvillua në kishën e qytetit të vjetër të Jeruzalemit, e cila besohet se është ndërtuar në po atë vend ku u kryqëzua, u varros dhe më pas u ringjall Jezu Krishti. Patriarku ortodoks i Jeruzalemit, Theofili II, ndezi disa qirinj me zjarrin e shenjtë e më pas ua shpërndau besimtarëve në kishë.
Pashkët u kremtuan edhe në Ukrainë ku mesazhet me rastin e kësaj feste kanë nxjerrë në pah tensionin që vazhdon të jetë në rritje. Kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, patriarku Filaret, akuzoi Rusinë për agresion dhe e quajti atë "djallëzore". Ndërkohë kryeministri ukrainas për festën e Pashkëve ka bërë thirrje për të qëndruar të bashkuar në këto ditë kur Ukraina po përballet me plane shtypëse dhe shkatërruese.